Kavajë/Kontrolle të shtuara në vijën bregdetare, lirohen hapësira në plazhin e Golemit

Kavajë

Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen hapësira në plazhin e Golemit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme nga pushuesit. Sekuestrohen 70 komplete me çadra dhe shezlongë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjektet në bregdet apo nga vetë pushuesit, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Si rezultat i kontrolleve, në plazhin e Golemit, u konstatuan dhe u hoqën 70 komplete me çadra dhe shezlongë që ishin vendosur nga qytetarët, pa lejen përkatëse.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.