Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”, kapen 2 shtetasit në kërkim

Policia e Shtetit

Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.
Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.

Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.

I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.

Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.

Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.

Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.