Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:
•nisën procedimin penal për shtetasin H. D., 49 vjeç, banues në fshatin Nartë, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në plazhin e Zvërnecit, në pronësi të shtetases N. T.
•në vijim të veprimeve për rastin, proceduan në gjendje të lirë shtetasen V. P., banuese në Vlorë, e cila ishte shpallur në kërkim policor dhe është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, pasi dyshohet se ka kanosur dhe fyer shtetasen L. C., në zyrën e saj të avokatisë.
•nisën procedimin penal për shtetasin E. B., 54 vjeç, banues në lagjen “Lirimi”, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. B., i cili pretendon se ky shtetas i ka hyrë pa leje në pronën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit M. R., E. R., D. B., banues në Orikum, dhe Sh. M., banues në Vlorë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Radhimë, për motive pronësie, kanë kanosur shtetasit J. B., E. B. dhe A. B.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, e cila deklaron se gjatë një debati me fjalë, e ka goditur me një send metalik. Ndaj kallëzueses u plotësua edhe kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban, Vlorë dhe Sarandë:
•arrestuan shtetasin austriak R. S., 33 vjeç, banues në Austri, pasi duke drejtuar automjetin në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, është përplasur me bordurën e rrugës. Nga testi i alkoolit i kryer, rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
•referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin në aksin rrugor Lepenicë–Gjorm, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, ka dalë nga rruga (duke shkaktuar vetëm dëme materiale) dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshëm.