Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 109 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 77 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste. 1 është ndaluar dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 18 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar, 5 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të falsifikimit dhe 2 raste të prishjes së qetësisë publike, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Për 2 raste të mëparshme të kësaj vepre penale, janë ndaluar 2 shtetas;
-2 raste që pengojnë zbulimin e së vërtetës, me 2 shtetas të arrestuar;
-2 raste të krimeve kibernetike, për të cilat po hetohet për të zbardhur autorësinë;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. 2 shtetas janë arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;
-1 rast i prostitucionit. 2 shtetase janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetase është shpallur në kërkim;
-1 rast i korrupsionit. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i moskallëzimit të krimit dhe largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, vetëgjyqësisë, trafikimit të mjeteve motorike, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është arrestuar për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, mbetur në tentativë, “Dhunimi i banesës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
1 shtetas i kërkuar për largimi të të burgosurit nga vendi i qendrimit, është ndaluar.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
–
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 54 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes gjatë kryerjes së disa punimeve në banesën e tij, është dëmtuar shtetasi i punësuar prej tij, K. Xh., 45 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:
-shtetasin K. D., 50 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, 2 shtetas;
-një 13-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë 3 muajve të fundit, ka vjedhur monopatina në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin E. H., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i ngjarjes, armën e zjarrit me të cilën më datë 25.05.2025, dyshohet se u vetëplagos shtetasi A. K.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 69 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një bashkëmoshatar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin V. L., 33 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 53 vjeç, pasi dyshohet se kanë kanosur për shkak të detyrës, 2 punonjës të Ujësjellës-Kanalizime Kamzë, të cilët po inspektonin lidhjen e ujit në subjektin që bashkadministronin këta shtetas. Njëri nga punonjësit ka kallëzuar gjithashtu se 33-vjeçari ka tentuar ta përplasë me automjet. Në drejtimin e Prokurorisë po punohet për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, Xh. M., 26 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në menyrë të parregullt”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. R., 53 vjeç, pasi dyshohet se motomjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin O. R. Si pasojë është dëmtuar 53-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Nga ana e Policisë, 53-vjeçarit i është marrë një kampion gjaku, për kryerjen e ekspertizës toksikologjike, me qëllim përcaktimin nëse ishte apo jo nën efektin e alkoolit, në momentin e aksidentit.
Me datë 26.05.2025 ka kallëzuar shtetasja E. Sh., se i kanë marrë një mobilie të çmontuar, të cilën e kishte lënë në ambientet e jashtme të pallatit ku banon. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se e kishte marrë me mjetin e punës (kamionçinë), punonjësi i mirëmbajtjes, shtetasi H. T., i cili e kishte hedhur, me mendimin se ishte lënë për këtë qëllim;
Më datë 26.05.2025, është vetëdëmtuar në duar, me mjet prerës, një 16-vjeçare. Aktualisht, ajo është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
Më datë 26.05.2025, është paraqitur në spital një 12-vjeçar për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar lehtë, gjatë një konflikti me disa bashkëmoshatarë të tij.
Vijon puna nga grupet hetimore për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rasteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. T., 24 vjeç, banues në Lushnjë dhe R. S., 25 vjeç, banues në fshatin Radostinë, pasi gjatë kontrolleve fizike, iu gjetën përkatësisht doza Cannabisi dhe doza Kokaine.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin J. Ll., 54 vjeç, banues në fshatin Dushk, pasi dyshohet se ka vjedhur pajisje në 2 banesa në këtë fshat. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën disa prej këtyre pajisjeve, si dhe disa fishekë arme gjahu.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. T., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij 15 vjeçe.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar një automjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Xh. K., 61 vjeç, banues në Shkodër, A. P., 42 vjeç, banues në fshatin Dobraç, B. B., 56 vjeç, banues në fshatin Dobraç dhe M. M., 28 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, pasi kanë shpërdoruar disa sipërfaqe toke, duke hedhur inerte.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. B., 56 vjeç, banues në fshatin Grabom, pasi nga kontrollet me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesën e tij.
-Më datë 26.05.2025, ka kallëzuar shtetasi malazez D. R., 25 vjeç, se ka humbur kontaktet me vëllanë e tij, shtetasin D. R., 39 vjeç, i cili ka hyrë dje, në territorin e Shqipërisë. Punohet për gjetjen e tij.
Materialet proceduriale iu referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të metejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M.S., 68 vjeç, banues në Peshkopi, pasi dyshohet se ka hedhur inerte në rrugën “A.Stojku”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori dhe po punohet për kapjen e shtetases S.D., 24 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. Sh., 42 vjeç, banues në Gjirokastër dhe për shtetasen shtetasen Z. P., 63 vjeçe, banuese në Gjirokastër. Shtetasi M. Sh. i ka marrë një shumë parash 63-vjeçares, duke e mashtruar se do ndikonte te një pedagog, që vajza e saj të kalonte një provim.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 35 vjeç, banues në Shkup, pasi ditën e djeshme, në PKK Kakavijë, në hyrje të RSH-së, nga verifikimet ka rezultuar se automjeti që përdorte është trafikuar nga Italia. Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim policor shtetasin D. C., 65 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në banesën e tij janë konstatuar punime ndërtimi të kryera pa lejen e organeve kompetente.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në hyrje të qytetit të Memaliajt, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. N., 24 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
–
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 06:30, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, shtetasi austriak A. B., 60 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë është dëmtuar lehtë 60-vjeçari, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 38 vjeç, pasi ka kallëzuar një shtetase 18 vjeçe, se 38-vjeçari i është futur pa dëshirë, në banesë, e ka goditur me shpullë dhe ka tentuar ta marrë me forcë. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas kallëzimit, rezultoi se shtetasi E. K. është dhe me precedent penal. Në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin J. H., 50 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.
Specialistët e qarkullimit Rrrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin I. B., 20 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të paraqitur dokumentet e automjetit, të cilin nga verifikimet rezultoi se e drejtonte pa leje drejtimi;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. D., 48 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, automjeti që drejtonte, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi M. D., 37 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi M. D. dhe pasagjerja në motomjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. S., 22 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur një automjet të parkuar, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se ka thyer me gurë, xhamat e dyerve dhe dritareve të një shkolle.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. A., 26 vjeç dhe K. H., 22 vjeç, pasi kanë ndotur ajrin, duke djegur 3 goma automjeti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
– Gj. K., 62 vjeç, banues në fshatin Gocaj, pasi dyshohet se në këtë fshat, ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit N. L.;
– T. N., 37 vjeç, banues në Kurbin, pasi dyshohet se ka goditur me grushte, shtetasin F. Gj., 59 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit F. L., 63 vjeç dhe F. P., 49 vjeç, banues në Laç, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive pronësie.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për një shtetas 15 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin, pasi në Lezhë, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin që drejtonte pa leje drejtimi dhe në tentativë për tu larguar ka dëmtuar derën e automjetit të Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasen braziliane B. F., 29 vjeçe, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur me qëllim shfrytëzimin për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi dyshohet se një apartament, në lagjen “Lef Sallata”, shfrytëzonte për prostitucion, 2 shtetase braziliane, përkatësisht 34 dhe 30 vjeçe. Këto 2 shtetase u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:
-ndaluan shtetasin në kërkim A. Z., 24 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. D., 24 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një fast food, në qytetin e Vlorës.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin N. L., 63 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, në rrugën “Kosova”, ka përplasur një automjet. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Th., 72 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin V. M., 29 vjeç, banues në Shtyllë, pasi u kap duke transportuar 5 m³ dru të prera në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec rreferuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
N. H., 55 vjeç, banues në Pogradec, pasi ka goditur me grushte një 68-vjeçar, për motive të dobëta;
A. B., 32 vjeçe dhe V. B., 57 vjeçe, pasi janë konfliktuar me njëra-tjetrën, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. K., 19 vjeç, pasi me zhurmat që ka krijuar në lokalin e tij në fshatin Sheqeras, ka prishur qetësinë publike.
Më datë 26.05.2025, shtetasi A. L., 67 vjeç, banues në Miras, dyshohet se ka tentuar të vetëvaret në banesë, por është shpëtuar nga familjarët. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.