Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”.
I dënuar në Itali me 5 vjet e 10 muaj burg për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, kapet në Durrës nga Operacionalja, 60-vjeçari.
Në vijim të punës për gjurmimin me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, siguruan informacion për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia italiane.
Bazuar në informacionin e marrë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 46”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit Nikolla Llogo, 60 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 23.05.2025 nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur” (vajzës së tij). Ngjarjet për të cilat ai është shpallur fajtor kanë ndodhur në komunën Noceto (Itali), gjatë periudhës 01.01.2005 deri më 31.12.2010.
Vijon puna për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.