Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan me iniciativë shtetasin S. L., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka kallëzuar bashkëshortja e tij, se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë të vazhdueshme.

Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-I. N., 60 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 11.05.2025, ka dëmtuar me dashje, me automjetin e tij, fasadën e një dyqani dhe dy frigoriferë që ndodheshin brenda, në lagjen “1 Maji”, Vlorë.
-M. T., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka kryer një veprim me natyrë seksuale ndaj një 14-vjeçareje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Delvinë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 11.05.2025, ka kallëzuar shtetasi E. H., 36 vjeç, banues në Delvinë, se shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë vëzhgues i qendrës së votimit nr. 4619, Delvinë, komunikonte me votuesit, ndaj dyshon se ai i intimidonte ata për të votuar në favor të një subjekti politik.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 16 vjeç, banues në Sarandë, pasi duke drejtuar një motomjet elektrik, ka aksidentuar lehtë një shtetase dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.