DVP Kukës
Nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar automjetin dhe përplasi një automjet të parkuar, arrestohet në flagrancë 31-vjeçari.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. Ll., 31 vjeç, banues në Has, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në qytetin e Krumës, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të paraqitur dokumentacionin e automjetit, dhe gjatë tentativës për t’u larguar, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë ka përplasur një automjet të parkuar.
Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. Ll. iu bë testi i alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.23 mg/l.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.