Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetases R. I., 50 vjeçe, banuese në Elbasan, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Elbasanit arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 54 vjeç, banues në Elbasan, pasi dje, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin B. M., 30 vjeç (oficer policie). Nga aksidenti janë dëmtuar shtetasi B. M. dhe 2 pasagjerë në automjetin e tij (oficerë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 42 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti që ai drejtonte, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Sh. M., duke shkaktuar dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në përfundim të aktivitetit politik të subjektit “Partia Demokratike”, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ndërmjet disa pjesëmarrësve në këtë aktivitet, është dëmtuar lehtë shtetasi P. B., 19 vjeç. Po punohet për identifikimin e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen duke u konfliktuar fizikisht dy vëllezër (me probleme të shëndetit mendor) dhe motra e tyre, informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kapën dy vëllezërit, shtetasit M. S., 53 vjeç dhe Ç. S., 51 vjeç, të cilët më pas u dërguan për mjekim në Spitalin Psikiatrik Elbasan. Materialet procedurale për rastin i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Dhuna në familje”.