Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .
Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti.
-Dje, u paraqitën për asistencë mjekësore, në spital, shtetasi N. B., 74 vjeç dhe një 5-vjeçare, të cilët dyshohet se kanë konsumuar aksidentalisht, lëndë helmuese, në banesat e tyre respektive, në fshatin Balldre dhe në Lezhë. Të dy shtetasit janë në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë së Lezhës, me qëllim vlerësimin juridik.