Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste. 1 shtetas është arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas është ndaluar për 1 rast të mëparshëm të kësaj vepre;
-nga 1 rast i krimeve kibernetike dhe trafikimit të mjeteve motorike, me autorë të paidentifikuar;
-1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i vetëgjyqëisë, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, shpërdorimit të detyrës, përkrahjes së autorëve të krimit, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, keqtrajtimit të kafshës dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
5 shtetas janë arrestuar për shtrëngim me anë të kanosjes, për dhënie të pasurisë, dhe për heqje të paligjshme të lirisë.
1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, është ndaluar.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 9 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 18:00, së bashku me një shtetas tjetër, për të cilin vijon puna për identifikimin dhe kapjen, në lagjen nr. 1, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin O. B., 22 vjeç, banues në Gjashtë, Sarandë, i cili është transportuar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. M., 42 vjeç, banues në Vlorë, pasi në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, ka goditur me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta, shtetasin F. L., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi duke drejtuar automjetin në Himarë, ka aksidentuar shtetasin A. K., 84 vjeç, banues në Himarë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen R. S., 50 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Librazhd-Qaf Thanë”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. Sh., 32 vjeç. Nga përplasja është dëmtuar shtetasi A. Sh., i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit S. M., 56 vjeç, K. P., 57 vjeç, I. S., 44 vjeç dhe Q. B., 70 vjeç, pasi u kapën duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në pronat e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen V. M., 37 vjeç, pasi ka dëmtuar me sende të forta, derën e banesës së shtetases S. B., 71 vjeçe, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-N. P., 37 vjeçe, sepse ka qëlluar me shuplakë një 9-vjeçare, pasi ajo është konfliktuar në rrugë me vajzën e 37-vjeçares, për motive të dobëta;
-F. B., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor “Lënie-Gramsh”, me automjetin e tij ka penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, me pretendimin se një firmë ndërtuese, gjatë punimeve, ka dëmtuar rrjedhën e ujit të pijshëm në fshat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 07:30, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, autobusi me drejtues shtetasin E. H., 57 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. L., 63 vjeç. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi A. L.
Me shtetasin E. H., po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave të aksidentit.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Last time”.
I shpallur në kërkim si autor i dyshuar i disa vjedhjeve, lokalizohet, kapet dhe ndalohet 28-vjeçari.
Dokumentohen 7 raste të vjedhjes, të kryera nga ky shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të kallëzimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Last time”.
Në kuadër të operacionit, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim N. D., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar, shkurt dhe prill 2024, ka vjedhur në vende të ndryshme, 3 celularë, 2 portofola, aksesorë të një automjeti dhe produkte të ndryshme në një dyqan, si dhe i ka marrë nga qafa, varësen e floririt, një shtetaseje.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. G., 25 vjeçe, banuese në Shirokë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi K. C., 21 vjeç, banues në fshatin Bajzë, se shtetesja A. G. ka përplasur me automjetin e saj, automjetin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. Gj., 49 vjeç, banues në fshatin Hoten, Y. K., 54 vjeç, dhe Xh. C., 64 vjeç, të dy banues në fshatin Barbullush, pasi kanë kryer punime ndërtimi, pa lejet përkatëse.
-Më datë 29.04.2025, shtetasi Xh. Ç., 73 vjeç, ka kallëzuar se i kanë vjedhur një shumë parash në banesën e tij, në fshatin Muriqan, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
-Mbrëmjen e djeshme, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në tregun e lagjes “Fahri Ramadani”. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imediat”.
Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi.
Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve.
Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 42”.
I dënuar nga autoritetet italiane, me 24 vjet burgim, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Lushnjë, 57-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpermjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 42”, lokalizuan në Lushnjë, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin:
Fatbardh Haxhiu alias Bardhyl Haxhiu, 57 vjeç, banues në Lushnjë.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në vitin 2008, e ka dënuar me 24 vjet burgim, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Gjatë periudhës 01.05.2002 – 30.07.2003, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, ka trafikuan sasi kokaine 15 – 130 kg, në Caserta, Itali.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
Lezhë/Zbardhet dinamika e vjedhjes me dhunë, në banesën e një të moshuari, në fshatin Gajush, kryer më datë 28.04.2025.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Telefonata”.
Arrestohen 3 autorët e dyshuar të vjedhjes së disa shumave parash dhe 1 arme gjahu, në banesën e të 66-vjeçarit.
Njëri prej bashkëpunëtorëve u kap në tentativë për të ikur nga Shqipëria, nëpërmjet PKK Muriqan.
Procedohet penalisht babai i njërit prej të arrestuarve, për përkrahje të autorëve.
Sekuestrohen 5 celularë, si dhe 2 automjete të përdorura gjatë vjedhjes.
Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera menjëherë pas telefonatës për vjedhje me dhunë, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, zbardhën dinamikën e rastit dhe arrestuan autorët e dyshuar.
Konkretisht, në kuadër të operacionit “Telefonata”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit K. N., 22 vjeç, banues në Mirditë (me precedent penal), A. S., 21 vjeç, banues në Korçë dhe L. Ll., 22 vjeç, banues në Tiranë (u kap nga shërbimet e PKK Muriqan, në dalje).
Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit janë implikuar në vjedhjen me dhunë të 1500 dollarëve, 880 eurove, 50 000 lekëve dhe 1 arme gjahu, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 28.04.2025.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e shtetasit K. N., shtetasin Gj. N., 50 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë/Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Shufrat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga hetimet, dokumentohet përfshirja e 4 shtetasve të tjerë, në këtë veprimtari kriminale.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 2 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerët.
Gjithashtu, ekzekutohet masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për një punonjës të DPSHTRR, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohet 1 automjet i dyshuar i përdorur në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi 6-mujor të kryer me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, në Greqi, u finalizua faza e dytë e operacionit policor antidrogë të koduar “Shufrat”. Gjatë kësaj faze:
– u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E. M., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe I. O., 62 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. (Shtetasi I. O., aktualisht i arrestuar në Malin e Zi, për të njëjtën vepër penale);
– u shpallën në kërkim shtetasit F. K., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe E. O., 24 vjeç, banues në Durrës, për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me 2 shtetasit që u arrestuan më datë 18.11.2024, pasi tentuan të trafikonin në Greqi, 56 kg cannabis sativa, që e kishin fshehur në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e kamionit.
-Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i DPSHTRR, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nga hetimet dyshohet se ka ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin J. P., 46 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. M., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka kryer punime në banesën e tij, ka shkaktuar dëmtime në banesën e fqinjit të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 50 vjeç, banues në Rrëmenj, pasi u kap jashtë banesës, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Dhuna në familje”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. B., 41 vjeç, banues në Çërravë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. B., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit D. B., 32 vjeç, banues në Durrës, dhe A. B., 39 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës
Iu gjetën në automjetin që e drejtonte pa leje, një sasi kanabisi, një grirëse dhe një peshore elektronike, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 20 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi është ndaluar nga shërbimet e Policisë, te rrethrrotullimi i Gostilit, dhe gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një grirëse dhe një peshore elektronike. Nga verifikimet e kryera më tej rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për hetime të mëtejshme.