Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër – Zbardhet vrasja e dyfishtë, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezër. Finalizohet operacioni policor i koduar “Livadhe”. Operacioni me metoda speciale të hetimit nga DVP Shkodër, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në pranga dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes. Shpallen në kërkim dhe dy persona të tjerë.
Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 30 mars 2019 ku mbetën të vrarë dy vëllezër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u ngrit një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër. Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:
– A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
– M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. U bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre. Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje. Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Pogradec – Arrestohet në flagrancë një shtetas për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Specialistët e Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 47 vjeç, lindur në Pogradec. Arrestimi i tij u bë sepse dyshohet se ky shtetas i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetasit maqedonas D. S, pasi shtetasi A. T., kishte dalë garant për marrjen e një sasie lekësh që shtetasi D. S, ia kishte marrë borxh një shtetasi tjetër, mik me shtetasin A. T. Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
Durrës – Vijon të rritet bashkëpunimi me qytetarët. Arrestohet në flagrancë një shtetas për shpërndarje të lëndëve narkotike të forta. Në pranga edhe një shtetas tjetër si dhe një shpallet në kërkim për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin P. A.,38 vjeç, banues në lagjen Nr. 14 Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Arrestimi i tij u bë sepse gjatë kontrollit fizik në një lokal, në lagjen Nr. 13 Durrës, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 doza lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. Gjithashtu shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. Y., 45 vjeç, banues në lagjen Nr. 13 Durrës. Gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasve E. Y., dhe A. K., është qëlluar në ajër me armë zjarri. Po punohet për kapjen e shtetasit A. K. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, nga këta: 15 janë arrestuar, 76 ndiqen në gjendje të lirë dhe 7 janë ndaluar.
Janë ndalur 7 shtetas në kërkim, konkretisht: 2 në qarkun Durrës, të dënuar për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”; 1 në qarkun Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; 1 në PKK Rinas, i dënuar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”; 1 në qarkun Fier, i dënuar për veprën penale “Dhuna në familje”; 1 në qarkun Lezhë, i dënuar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”; 1 në qarkun Dibër, i dënuar për 4 vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 rast në qarkun Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 4 raste në qarkun Tiranë dhe 2 në qarkun Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje’’, 1 në qarkun Berat, 1 në Fier, 3 në Vlorë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të “Dhuna në familje”, 1 rast në qarkun Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar. Për 6 rastet e tjera janë plotësuar kërkesë-paditë për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 raste të tjera në gjithë territorin, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Shkodër dhe 1 në Berat, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Është evidentuar 1 drejtues mjeti i papajisur me leje drejtimi, në qarkun Fier, i cili po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 drejtues mjeti që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Berat, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrim prone”, 1 rast në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast në Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Është evidentuar 1 raste i “Pushtimi i toke”, në qarkun Lezhë, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 1 rast në qarkun Tiranë dhe 4 në qarkun Shkodër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.