Policia Rrugore e Beratit intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve rrugore, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar menjëherë pas analizës 3-mujore të zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë së cilës u lanë detyra për rritjen e forcës ndëshkuese nga ana e Policisë Rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kanë intesifikuar kontrollet në qytet dhe në rrugët nacionale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Kontrollet janë përqendruar kryesisht në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të atyre shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si dhe të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë pa leje drejtimi.
Në këtë kuadër, gjatë ditës së djeshme, Policia Rrugore e Beratit ka vënë në pranga shtetasit F. D., 30 vjeç, A. D., 28 vjeç dhe A. Q., 56 vjeç, pasi u kapën në flagrancë, duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi dhe pa dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi E. P., 16 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi.
Po në zbatim të planit të masave, nga Policia Rrugore e Beratit gjatë 48 orëve të fundit, janë vendosur 110 masa administrative, kryesisht për drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit, për parakalime të gabuara dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia Rrugore e Beratit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për të gjithë ata që shkelin këto rregulla, t’i zbatojnë me rigorozitet, pasi do të përballen me forcën e ligjit.