Po në kuadër të bashkëpunimit Interpol Tirana ekstradoi nga Hollanda 39-vjeçarin nga Shkodra. Nga Specialistët e Zyrës Qëndrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami/Hollandë drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar B.B. alias B. R. 39 vjeç, lindur në Shkodër. Shtetasi B. B., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në vitin 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi B. B., alias B. R., është anëtar i grupit kriminal “Bajri”, i cili në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal janë autorë të një sërë veprash penale.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Hagë/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.