Tiranë Policia Rrugore e Tiranës gjatê 72 orëve të fundit ka arrestuar në flagrancë dy drejtues mjetesh për mitëdhënie.
Në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore, ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm patrullimet me përzgjedhje, kryesisht për verifikimin e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e mjeteve me motor, por edhe për mangësi të tjera të karakterit administrativ.
Nga verifikimet e kryera, krahas ndëshkimeve me masa administrative apo procedimeve penale të shumta per drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga rrugorët e kryeqytetit janë kapur dhe me pas arrestuar në kushtet e flagrancës dy drejtues automjetesh të cilët, me veprimet e tyre gjatë kontrollit policor kanë konsumuar elementet e veprës penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Më konkretisht, shtetasi Xh.V, është konstatuar dhe verifikuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur në masën 0.80 mg/l, si dhe nga verifikimi rezultoi se drejtonte mjetin ne menyre abuzive ( pa leje drejtimi ), pasi i ishte pezulluar që në muajin Mars me afat 6 muaj po për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe me qellim shmangien e kontrollit policor dhe penalizmit për shkeljet e kryera, ky drejtues mjeti i ka ofruar agjentit verifikues të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 5000 leke të reja.
Gjithashtu në sajë të patrullimeve policore, më herët është konstatuar se shtetasi me iniciale Y. Sh drejtonte automjetin i pa pajisur me siguracionin e vlefshëm dhe me qëllim shmangien e penalizmit për këtë shkelje, i ka ofruar agjentit verifikues të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 1000 lekë të reja. Te respektosh normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit në rruge është detyrim ligjor, nëse i shkel, përballu me sanksionin dhe mos tento të korruptosh punonjësit e Policisë