Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tropojë/Kukës – Ndalohen 2 persona të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjet e ndodhura në KZAZ Nr. 09, Tropojë dhe KZAZ nr.11, Kukës, datë 19 dhe 20.06.2019. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim G.B., 38 vjeç, banues në Dojan, Tropojë. Ndalimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim L.Sh., 37 vjeç, banues në fshatin Shtiqen. Ndalimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, ”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” ,”Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative” , “Organizim i paligjshëm i tubimeve”, dhe “Prishja e qetësisë publike”. Materialet për veprime të metejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.
Vlorë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet operacioni antidrogë “Dhërmiu”. Sekuestrohen nga policia 15 doza kokainë dhe një sasi parash të dyshuara si të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike. Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në zonën e Dhërmiut, një shtetas shpërndante lëndë narkotike Kokainë në doza të vogla, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Dhërmiu”, ku në bashkëpunim me forcat operacionale pranë DVP Vlorë kanë vënë në pranga 37 vjeçarin nga Tirana A.K. Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti shtetasit A.K, 15 doza lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe një sasie valute prej 385 eurove, të cilat dyshohen se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Himarë/Vlorë – Sekuestro Preventive për një hotel në ndërtim dhe truallin ku ndërtohet hoteli në Himarë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është bërë zbatimi i Vendimit Penal nr. 1314, datë 20.06.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi një objekt hotel në ndërtim. Ky ndërtim ka qenë i lejuar me vendimin nr.64, datë 30.07.2018 nga ana e bashkisë Himarë dhe leja e ndërtimit është dhënë në favor të një shoqërie sh.p.k, me administrator shtetasin F. H., si dhe një sipërfaqe toke truall prej 700 m2, e ndodhur në Spile Himarë ku po ndërtohet ky hotel. Vlera financiare e objektit dhe truallit kap shifrën rreth 500.000 euro. Ky sekuestrim u bë në kuadër të procedimit penal nr. 342 viti 2019, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.