“Të komunikosh për të parandaluar”.
Në Tiranë u zhvillua takimi i tretë i Agjencive Ligjzbatuese të Projektit Trivalent (LEA-s), me synim diskutimin dhe gjetjen e metodave të reja të nevojshme për të goditur radikalizmin,ekstremizmin dhe terrorizmin.
Në këtë projekt janë përfshirë 21 institucioneve të ndryshme shtetërore dhe private nga vende të ndryshme të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Policia e Shtetit.
Projekti TRIVALENT, i dedikuar për luftimin e radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, është një projekt kërkimor i financuar nga BE dhe drejtohet nga Universiteti 3, i Romës.
Zv/drejtoresha e Përgjitshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt, jo vetëm për Policinë dhe agjencitë ligjzbatuese, por edhe për gjithë shoqërisë.
Aida Hajnaj: “Nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse, midis ekipeve shkencore, agjencive ligjzbatuese, ekspertëve, aktorëve të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të komuniteteve të interesuara, projekti synon të kuptojë shkaqet rrënjësore të fenomenit të radikalizmit, zbulimin e shenjave të hershme të tij, për të kontribuar në hartimin dhe zhvillimin e modeleve paralajmëruese shumëdimensionale, si dhe gjetjen e mjeteve të përshtatshme që mund të ndihmojnë për zhvillimin e politikave efektive për arritur sigurinë publike dhe bashkëjetesën paqësore në vend. Për këtë qëllim, nevojitet një kuptim më i mirë i faktorëve që përbëjnë radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm në Evropë, i cili synon, nëpërmjet një analize multidisiplinare, një pamje gjithëpërfshirëse të fenomenit, duke hetuar shkaqet e këtij fenomeni dhe gjetjen e aplikimin e formave më efikase në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Për Policinë e Shtetit pjesëmarrja në këtë projekt konsiderohet shumë e vlefshme jo vetëm për kontributin e saj për hartimin e modeleve të përshtatshme për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por edhe për shkëmbimin e eksperiencës, duke zhvilluar aftësimin e punonjësve nëpërmjet bashkëpunimit dhe trajnimit të stafit”
Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë takim të tretë të Agjencive Ligjzbatuese dhe përfshirjen e Shqipërisë në Projektin Trivalent.
Gledis Nano
“Të komunikosh për të parandaluar” edhe pse tingëllon si një proces i thjeshtë ndërveprimi, mund të paraqesë sfida të njëpasnjëshme sidomos kur në të janë përfshirë një sërë aktorësh, ndaj është e nevojshme krijimi i një strategjie të përbashkët në këtë proces.
Pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në projektin TRIVALENT, si vend me atribute të plota ashtu si vendet e Bashkimit Evropian, roli i saj si vend përfitues por edhe kontribues, është jo vetëm një vlerësim i çmuar, por edhe një detyrim më tepër për të marrë përgjegjësi në realizimin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme në krijimin e produktit final.
Është më se e kuptueshme që për të zhvilluar një proces të tillë kërkohet medoemos ndërveprim midis aktorëve të ndryshëm të shoqërisë dhe atyre ligj zbatuese, dhe për këtë ofroj edhe një herë gatishmërinë e Drejtorisë së Antiterrorit, për të vënë në dispozicion kapacitetet e saj në realizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij projekti.”