Vlorë/Programi “Siguria e të rinjve”, zhvillohen takime në 7 shkolla në qytetin e Vlorës

Vlorë/Vijojnë takimet informuese dhe sensibilizuese në shkolla, për rritjen e sigurisë së nxënësve.

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për zbatimin e programit “Siguria e të rinjve”, shërbimet e Policisë kanë vijuar takimet sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun Vlorë.

Takimet e radhës u zhvilluan nga ndihmësspecialistët për edukimin në shkolla, të DVP Vlorë, në bashkëpunim me stafin pedagogjik, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkollat 9-vjeçare publike “24 Maji”, “15 Tetori”, “Lef Sallata”, “28 Nëntori” dhe “Zigur Lelo”, si dhe në shkollat jopublike “Drita e Dijes” dhe “Perla”, në qytetin e Vlorës.

Gjatë këtyre takimeve, punonjësit e Policisë bashkëbiseduan me nxënësit për çështje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e tyre, duke u ndalur veçanërisht në:

-parandalimin e dhunës dhe njohjen e formave të ndryshme të shfaqjes së saj;
-evidentimin e bullizmit, shkaqet që ndikojnë në shfaqjen e tij dhe pasojat tek fëmijët dhe të rinjtë;
-rëndësinë e denoncimit dhe raportimit në kohë të çdo rasti dhune apo bullizmi;
-ndërgjegjësimin për rreziqet në internet dhe rëndësinë e përdorimit të sigurt e të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.

Gjithashtu, nxënësit morën informacion mbi rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe nga mbajtja dhe përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Punonjësit e Policisë kishin përgatitur materiale ilustruese për nxënësit, si dhe iu shpërndanë atyre fletëpalosje me informacione dhe kuriozitete mbi fushën e sigurisë.

#SiguriaFillonMeNe 👮🏻♀️👧🏻👦🏻
#ShkollaVendISigurt 🏫
#SëBashkuKundërDhunësDheBullizmit
#TëSigurtNëShkollëEdheNëInternet 🇦🇱