📌Dibër/Vijojnë takimet sensibilizuese në shkolla për rritjen e sigurisë së nxënësve.
Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”, shërbimet e Policisë në DVP Dibër kanë vijuar takimet informuese dhe sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun Dibër.
Gjatë këtyre takimeve, punonjësit e Policisë kanë bashkëbiseduar me nxënësit dhe stafin pedagogjik për parandalimin e dhunës dhe bullizmit, rëndësinë e raportimit të rasteve, sigurinë në internet dhe rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, duhanit, alkoolit dhe armëve të vogla e të lehta (AVL).
Gjithashtu, në një prej shkollave të mesme, specialistë të Policisë ishin të ftuar në një aktivitet sensibilizues kundër bullizmit, të organizuar nga vetë shkolla, ku nxënësit përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën pa dhunë.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër vijon angazhimin për të kontribuar në krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt dhe miqësor për çdo nxënës.

