Vlorë – Kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë Rrugore, tentoi të largohej me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi por u kap dhe prangos pas disa minutash ndjekjeje

Kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë Rrugore, tentoi të largohej me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi por u kap dhe prangos pas disa minutash ndjekjeje.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M., 36 vjeç, banues në Hysoverdhë, Vlorë.
Në aksin rrugor Vlorë-Gjorm, shërbimet e Policisë Rrugore, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Benz”, drejtuesi i të cilit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe është larguar. Pas disa minuta ndjekjeje, punonjësit e Policisë Rrugore e kanë ndaluar dhe në momentin që po i komunikonin shkeljen ky shtetas ka dalë nga makina dhe ka dhunuar fizikisht punonjësin e Policisë.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të kolegut është prangosur dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vlorë shtetasi R. M., dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.