Vlorë
Kontrolle intensive për lirimin e hapësirave publike.
Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Vlorë dhe Policinë Bashkiake, ka ushtruar kontrolle në disa zona të qytetit, me fokus zënien e hapësirave publike në kundërshtim me ligjin.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar 2 subjekte, të cilat parkonin automjete në hapësira publike, me qëllim shitjen apo dhënien me qira, pa lejen përkatëse nga Bashkia Vlorë.
Ndaj shtetasve Xh. A., 38 vjeç dhe Xh. Gj., 28 vjeç, të dy banues në Vlorë, janë kryer veprimet procedurale për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Materialet janë referuar në Prokurori dhe shtetasit po ndiqen në gjendje të lirë.
Paralelisht, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur 180 masa administrative:
• 172 masa për shkelje të neneve për “Parkim i gabuar”;
• 8 masa për shkelje të nenit “Zënia e sipërfaqes rrugore”.
Policia e Vlorës vijon kontrollet për lirimin e hapësirave publike dhe garantimin e rendit për qytetarët.
