Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Pleshovica”

Vijojnë kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit.

Finalizohet operacioni i koduar “Pleshovica”.

Operacioni i zhvilluar nga strukturat e narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Vlorë.

Policia ka vënë në pranga 2 shtetas, ka proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Policia e Vlorës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim me strukturat e saj dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar me sukses operacionin antikanabis të koduar “Pleshovica”. Gjatë operacionit, në një ambient të hapur në malin e Pleshovicës, Bashkia Selenicë, janë gjetur dhe asgjësuar disa bimë dhe fidanë të dyshuara si cannabis sativa.

Si rezultat i këtij operacioni, Policia ka vënë para përgjegjësisë penale shtetasit e dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme, konkretisht:

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. K., 27 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe dhe P. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Lubonjë, Vlorë.

Janë proceduar penalisht shtetasit:

• K. Ll., 47 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë kryetar i fshatit Vërmik, pasi dyshohet se ka patur dijeni për rastin dhe nuk ka bërë kallëzim në organet e Policisë.

• A. K., 55 vjeç, banues në fshatin Ramicë, me detyrë inspektor i pyjeve dhe kullotave në fshatin Vërmik, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos ushtruar kontroll territori në zonën në fjalë.

• P. A., 56 vjeç, banues në fshatin Babicë e Vogël, pasi dyshohet se është implikuar në këtë veprimtari të paligjshme dhe është proceduar në gjendje të lirë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Janë shpallur në kërkim shtetasit E. A., 35 vjeç dhe E. A., 32 vjeç dhe po punohet për kapjen e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për hetime të mëtejshme.