Vlorë – Delta Forcë dhe Policia Kufitare Vlorë u kanë ardhur në ndihmë 3 peshkatarëve të cilët rrezikuan të mbyteshin në det

Pas njoftimit të marrë rreth orës 14:30, se në zonën e Karaburunit, pranë vendit të quajtur “Shën Vasil”, 3 peshkatarë po rrezikoheshin të mbyteshin në det me mjetin e tyre lundrues tip skaf plastik, menjëherë u organizua një grup i posaçëm shpëtimi nga Delta Forcë dhe Policia Kufitare e Vlorës, i cili ka shkuar në kohë në adresën e dhënë nga peshkatarët.

Shërbimet policore sapo mbërritën në vend, bënë të mundur shpëtimin e 3 peshkatarëve Sh. M., A. M. dhe R. S., të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Si pasojë e motit të keq dhe detit të trazuar mjeti lundrues i peshkatarëve është përmbysur dhe fundosur në det.

Tre peshkatarët kanë falënderuar shërbimet e Delta Forcë dhe Policisë Kufitare për reagimin e  shpejtë duke u dhënë ndihmë në kohë.