Vlorë/Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri dhe armë gjahu pa leje, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
Procedohet penalisht një 38-vjeçar që qarkullonte në automjet me 40-vjeçarin dhe posedonte pa leje njërën prej armëve të gjahut.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një pushkë me pajisje optike të montuar, 3 armë gjahu dhe 16 fishekë gjahu.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që lëvizte me armë në automjet, ndaluan për kontroll, në vendin e quajtur “Ura e Vodicës”, automjetin e dyshuar me të cilin udhëtonin shtetasit Sh. B. dhe F. B.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 pushkë me pajisje optike të montuar, 3 armë gjahu dhe 16 fishekë gjahu.
Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë.
Ndërsa shtetasi F. B., 38 vjeç, banues po në fshatin Mavrovë, u procedua penalisht në gjendje të lirë, pasi njëra prej armëve të gjahut të sekuestruara i përkiste atij.
Kontrollet vijojnë me qëllim evidentimin dhe parandalimin e paligjshmërisë, si dhe garantimin e sigurisë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.


