Kakavijë – Masa të shtuara nga ana e Policisë Kufitare, për kontroll të imtësishëm ndaj automjeteve dhe qytetarëve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe intervistimit të thelluar, kapen dhe ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Dhuna në familje”.

Po si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe në bazë të riskut, është goditur një rast i kontrabandimit të cigareve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Gjithashtu, gjatë një jave janë kthyer mbrapa 29 shtetas shqiptarë që nuk plotësonin kushtet e lëvizjes në hapësirën SCHENGEN.

Po nga Policia Kufitare e Kakavijës janë ndëshkuar me masë administrative gjobë, 21 shtetas shqiptarë, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkelje të ligjit për kontrollin kufitar.

Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i intervistimit të thelluar, kanë bërë të mundur zbulimin e identitetit të vërtetë të një shtetasi që ishte i shpallur ë kërkim, duke e vënë në pranga, konkretisht shtetasin A. K., 49 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ngjarje e ndodhur në datë 22.04.2018, ku shtetasi i mësipërm, duke qenë drejtues autobusi i një linje me shtetin grek, ka tentuar të trafikojë në shtetin grek, 1 kg lëndë narkotike kokainë. Ky shtetas, në momentin e kontrollit nga Policia, ka braktisur autobusin dhe është larguar në një zonë të pyllëzuar në territorin e doganës greke.

Si dhe u kap shtetasi D. V., 42 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në muajin shkurt 2020, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë në mungesë, “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Po si rezultat i kontrolleve bazuar edhe në analizën e riskut, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në vijën e dytë në SPK Kakavijë, të mjetit në pronësi të shtetasit I. A., nga fshati Vrisera, gjetën në gomën rezervë 140 paketa cigaresh kontrabandë, të cilat po i transportonte nga Shqipëria për në Greqi. Paketat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi I. A. u arrestua në flagrancë, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

Policia Kufitare po vijon me intensitet kontrollet në pikën e kalimit dhe në kufirin e gjelbër, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bashkëpunim me FRONTEX-in, për të parandaluar hyrjen e paligjshme të shtetasve nga vendet e treta.