Vijon kontrolli në të gjithë vendin, për parandalimin e tregtimit të lëndëve piroteknike. Në Lezhë janë sekuestruar qindra fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese

Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Evidentohet nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, një pikë shitjeje e lëndëve piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese.

Sekuestrohen qindra fishekzjarrë dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve gjatë përdorimit civil të tyre.

Vihet në pranga tregtuesi i tyre.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të nisura që prej fillimit të muajit dhjetor, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në një dyqan me artikuj ushqimorë në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë, kanë gjetur një sasi lëndësh piroteknike të rrezikshme për jetën e qytetarëve, në rast përdorimi nga fëmijët apo personat e paautorizuar për përdorimin e tyre.

Pronari i dyqanit, shtetasi B. R., 56 vjeç, banues në Lezhë, u shoqërua në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke iu garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. Njëkohësisht, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të bizneseve që të respektojnë masat anticovid në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, pasi nuk do lejohen daljet nëpër rrugë e sheshe.