Veliu pret në takim Ministrin e Brendshëm të Suedisë dhe delegacionin që e shoqëronte

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti Ministrin e Brendshëm të Suedisë dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe asaj suedeze.

Gjatë takimit, Drejtor Veliu bëri prezent mënyrën e funksionimit dhe strukturën e Policisë së Shtetit dhe e njohu Ministrin e Brendshëm suedez z. Mikael Damberg, me disa tregues dhe rezultatet e arritura sidomos dy vitet e fundit, në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale nëpërmjet operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta me partnerët, për uljen e krimeve ndaj personit dhe parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm e ka njohur ministrin Damberg me rezultatet e OFL-së dhe në këtë kuadër ka propozuar që bashkëpunimi me Policinë suedeze të shtrihet edhe në hetime dhe operacione të përbashkëta, si ato që jemi duke i zhvilluar me partnerët e tjerë, pasi Policia e Shtetit tashmë është një organizatë me besueshmëri të plotë te homologët.

Ministri Damberg ka vlerësuar bashkëpunimin dhe ka mirëpritur propozimin e Drejtor Veliut për ta shtrirë bashkëpunimin në hetime të përbashkëta për individë dhe grupe që merrem me krim të organizuar. Ai ka theksuar se pavarësisht se krimi në Suedi është në ulje po shtohen kapacitetet policore për të luftuar grupet kriminale dhe sekuestruar drogën e armët që vijnë nga vendet e tjera.

Drejtor Veliu ka siguruar Ministrin e Brendshëm të Suedisë dhe përfaqësuesit e ambasadës suedeze në Tiranë se Policia e Shtetit është e vendosur për të punuar së bashku me partnerët dhe për të mbështetur çdo iniciativë e veprim që i shërben rritjes së efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.