Velipojë – Vijon operacioni “Bregdeti ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara

Velipojë, Shkodër

Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me bashkinë Shkodër, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Velipojë, Shkodër.

Gjatë gjithë vijës bregdetare në Velipojë janë verifikuar 27 subjekte, 2 prej të cilëve kishin zënë më shumë hapësirë publike se sa parashikohej nga leja përkatëse në e-Albania. Në këto 2 subjekte janë hequr 40 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Operacioni vijon pa probleme.