Turneu Botëror i Futbollit për Paqen Botërore. Policia e Shtetit merr pjesë në  Kampionatin Botëror të Minifutbollit të Forcave të Rendit (World Peace Indoor Soccer Tournament

Me iniciativë të IPA – Section Albania dhe me mbështetje të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për herë të parë krijohet ekipi i minifutbollit në Policinë e Shtetit, i përbërë nga 12 persona, i cili do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Minifutbollit të Forcave të Rendit (World Peace Indoor Soccer Tournament) që zhvillohet në 07-11 Tetor 2019 në Eibergen të Hollandës. Më herët, po me iniciativë të IPA – Section Albania u krijua edhe Ekipi i “Volley Police”.

Gjatë takimit të zhvilluar para nisjes së ekipit për në Hollandë, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Gjovalin Loka i ka dorëzuar ekipit të minifutbollit Flamurin e Policisë së Shtetit.

Drejtor Loka gjatë fjalës përshëndetëse në emër dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i ka uruar ekipit suksese dhe ka theksuar se ky është një aktivitet mjaft i rëndësishëm, i cili ndikon drejtpërdrejt në imazhin e Policisë së Shtetit dhe të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i IPA – Section Albania Skënder Doda falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Shoqatën Sportive të Minifutbollit Shqiptar për sponsorizimin e pjesëmarrjes së ekipit të Policisë së Shtetit në këtë event sportiv ndërkombëtar.

Në historinë e saj Policia e Shtetit përfaqësohet për herë të parë në këtë aktivitet dhe shorti ka vendosur Grupin B, i cili fillimisht do ndeshet me ekipet e Policisë së Gjermanisë, Ukrainës, Rusisë, Rumanisë dhe Belgjikës.

Akademia e Sigurisë krijoi kushte për një stërvitje kompaktësimi të ekipit dhe masat e tjera që lidhen me përfaqësimin sa më dinjitoz në këtë event ndërkombëtar.