Tiranë/Vijon programi “Siguria e të rinjve”

Tiranë/Vijon programi “Siguria e të rinjve”

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me institucionet arsimore, vijon takimet sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun Tiranë, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”.

Gjatë këtyre takimeve, punonjësit e Policisë bashkëbisedojnë me nxënësit për tema që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre të përditshme, duke përfshirë sigurinë rrugore, respektimin e rregullave të qarkullimit, si dhe rreziqet që vijnë nga sjelljet e pakujdesshme në rrugë.

Nëpërmjet prezantimeve interaktive dhe shembujve konkretë, nxënësit njihen edhe me pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, alkoolit dhe duhanit, si dhe ndikimin që këto fenomene kanë në shëndet dhe sigurinë e tyre.

Gjithashtu, nxënësve u shpërndahen fletëpalosje informuese dhe materiale ilustruese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e tyre për të qenë qytetarë të përgjegjshëm.

Këto takime synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes Policisë dhe komunitetit shkollor, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt, të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës për të rinjtë.

#PoliciShkollë ‍♂️‍♀️
#SiguriaRrugore
#tëgjithëbashkë
#përnjëmjedistësigurtë