Tiranë – Vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre të shpallur në kërkim, dhe procedohen penalisht 5 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. N., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Specialistët e Seksionit të Kërkimit bënë kapjen e shtetasit L. V., 29 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen e shtetasit Kreshnik Ballia, 34 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e ka dënuar me 1 vit 3 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 46 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, pasi ky shtetas ka dëmtuar një mjet të parkuar në pronësi të shtetases E. J., dhe gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim Aleks Zekthi, 41 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– S. N., 48 vjeçe, pasi duke drejtuar mjetin e saj, ka aksidentuar shtetasin R. D., 55 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;

– I. H., 52 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur.
—-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” shtetasit:
– G. H., 29 vjeç dhe F. Ç., 41 vjeç, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar dhe kanë goditur me grushte njëri-tjetrin;

– E. R., 37 vjeç, pasi ka goditur me grushte shtetasin E. D., 32 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 proceduan penalisht shtetasin K. C., 16 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 proceduan penalisht shtetasin A. V., 35 vjeç, për veprën penale “Ndotja e ajrit” pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij të ngarkuar me inerte, pa kontratë depozimi për to.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.