Tiranë – Kontrolle me agjentë civilë dhe shërbime të hapura pranë shkollave të kryeqytetit, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike

Si rezultat i kontrolleve, në afërsi të një shkolle u kapën dhe arrestuan në flagrancë dy të rinj, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi dozash kanabisi me peshë 23.6 gr.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të planit të masave për “Identifikimin, goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpërndajnë apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e shkollave apo përreth tyre” bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– D. A., 27 vjeç dhe M. K., 22 vjeç (të dy banues në Tiranë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 12:25 kanë ushtruar kontroll në ambientet përreth një shkolle në Tiranë, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit D. A. dhe M. K., të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike (Cannabis Sativa).

Gjatë kontrollit, u është gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, me peshë 23.6 gr, të cilat u u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.