Tiranë/Në 24 orë, Komisariati i Policisë Nr. 2 finalizon 2 operacione për zbardhjen e vjedhjeve me pasoja të rënda.
✅Operacioni “The driver”/Vodhi 3 000 000 lekë, duke shitur për llogari të tij, pajisje të subjektit ku punonte, arrestohet 28-vjeçari.
✅Operacioni “Kaseta”/Arresohet një shtetase që vodhi 40 000 paunde të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve/administratorëve të subjekteve, për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 , në 24 orë, finalizuan 2 operacione për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të 2 vjedhjeve me pasoja të rënda. Konkretisht:
-në kuadër të operacionit të koduar “The driver”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi L. B., 28 vjeç. Gjatë 6 muajve, ky shtetas dyshohet se ka vjedhur 3 000 000 lekë të përfituar nga shitja e pajisjeve (për përpunimin/konsumin e kafesë) të subjektit ku ishte i punësuar shofer. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet në pronësi të këtij subjekti, me të cilin i arrestuari transportonte pajisjet;
-në kuadër të operacionit të koduar “Kaseta”, u vu në pranga shtetasja M. Xh., pasi dyshohet se ka vjedhur 40 000 paunde, të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market, nga një blerës (punonjës në një subjekt për këmbimin e valutave). Shuma e paundeve u gjet në subjektin ku punonte shtetasja M. Xh., dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
