Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Sh. M., 22 vjeç dhe E. Sh., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po qarkullonin u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe një shumë parash.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 29 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është konstatuar jashtë banesës.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. D., 36 vjeç dhe referuan materialet për shtetasit M. V. dhe A. D., pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, në rrugën “5 Maji”, ku shtetasi L. D. ka goditur me mjet prerës shtetasin M. V., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, i shtetasit S. Xh., 43 vjeç, pasi në Liqenin e Sharrës, Njësia Administrative Vaqarr, ka ndezur zjarr, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha.
Nga shërbimet e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 35 vjeç, pasi në Golem, është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.59 g/l.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.