Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 37 vjeç, i cili është konstatuar nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, pa vendosur rripin e sigurimit dhe maskën mbrojtëse. Në momentin e paraqitjes së dokumenteve, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë duke i ofruar një kartëmonedhë 1000 lekëshe, për të shmangur masën administrative.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i 4 shtetasve të shpallur në kërkim.
Nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit N. H., 65 vjeç, sepse me vendimin penal të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, është dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit G. B., 30 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë kapja dhe ekzekutimi i vendimit të ndalimit për shtetasin në kërkim F. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë e ka dënuar me 3 muaj burg, për veprën penale ”Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit O. M., 26 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur dhe e ka detyruar atë që të përdorë lëndë narkotike.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
•Sh. S., 53 vjeç, për veprën penale “Kallëzim i rremë”, pasi më datë 09.03.2021, ka deklaruar se i kanë vjedhur mjetin e tij, por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky automjet ka dalë nga territori i Shqipërisë në datën 18.01.2021 dhe nuk ka hyrë më në territorin e Republikës së Shqipërisë.
•B. B., 41 vjeç, pasi tek Pazari i Ri, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin S. D., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. Q., 42 vjeç, pasi në kundërshtim me urdhrin e mbrojtjes të dhënë nga Gjykata, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes dhe ka dëmtuar orenditë shtëpiake.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
I. Sh., 53 vjeç, S. J., 38 vjeç dhe N. Q., 34 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;
R. B., 31 vjeç, pasi në rrugën e Rinasit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të bërë testin e alkoolit. Gjithashtu, gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.