Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Weekend”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Weekend”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1.
Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krëhër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në rrugën “Abdi Toptani”, me një automjet tip “Benz”, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Weekend”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– B. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe një krëhër me municion luftarak. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të mjetit që ky shtetas drejtonte, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.