Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Transferta e gabuar”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 6 milion euro, në ngarkim të një shtetasi me precedent penal në fushën e narkotikëve, i dënuar më parë në Itali.
Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në vitin 2016, mbi bazën e informacioneve të siguruara më parë në rrugë operative dhe provave të siguruara, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Transferta e gabuar”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të prokurorit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit:
A. Xh., 37 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit u vendos sekuestro për pasuritë në pronësi të shtetasit A. Xh. dhe për disa pasuri që ky shtetas i ka kaluar në emër të familjarëve të tij, konkretisht:
10 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 1 apartament, 5 dyqane, 2 ambiente bar-restorant dhe disa biznese call center, me një vlerë të përafërt rreth 6 milion euro, pasuri e dyshuar se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.
Nga hetimet e kryera rezultoi se transfertat e parave të kryera nëpërmjet call center-ave janë kryer nga kompani të dyshimta dhe paratë dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.