Finalizohet operacioni policor i koduar “Akciza”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Ekzekutohen masat e sigurimit për 6 shtetas dhe shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë.
Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune intensive hetimore disamujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Akciza”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disamujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:
Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:
D. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Q. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
A. D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
N. K., 53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Masën “Arrest në shtëpi” ndaj shtetases R. S. (Q.), 35 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit K. G., 45 vjeç dhe I. B., 51 vjeç.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.