Vihen në pranga dy posedues që shpërndanin lëndë narkotike.
Procedohen penalisht edhe 2 shtetas që blinin lëndën narkotike.
Sekuestrohen doza me cannabis sativa, 404.000 lekë të reja dhe 4 telefona celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy persona që merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike në disa zona të Tiranës, organizuan punën për identifikimin dhe lokalizimin e këtyre shtetasve.
Pas identifikimit dhe lokalizimit të këtyre shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i kanë mbajtur nën vëzhgim për të bërë të mundur kapjen e tyre në flagrancë.
Pas vëzhgimit të kryer, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Combination”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
H. H., 29 vjeç dhe A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit:
A. Xh., 21 vjeç dhe D. V., 23 vjeç, banues në Tiranë;
Arrestimi i shtetasve H. H dhe A. A. u bë pasi, në bashkëpunim më njëri-tjetrin, merreshim me shpërndarjen e lëndës narkotike cannabis sativa.
Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesa u gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë narkotike, një shumë prej 404.000 lekësh të reja dhe 4 telefona celular të markave të ndryshme.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. H. dhe A. A., si dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve D. V. dhe A. Xh.