Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë finalizuar 3 operacione, në bashkëpunim me partnerët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 13 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, me 16 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në Gjirokastër, janë konfliktuar fizikisht me 2 shtetas (vëllezër), për motive të dobëta. Njëri prej tyre dyshohet se ka kanosur dhe ka goditur me qytën e një arme zjarri njërin prej vëllezërve, si dhe ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie (jashtë shërbimit), i cili ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Po punohet për kapjen e një 39-vjeçari, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij dhe ka tentuar ta marrë me forcë nga subjekti ku ajo ndodhej. E dëmtuara u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 15 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal, ndaj të cilit u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari, u dërgua në Spitalin Psikiatrik Shkodër për trajtim të specializuar.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 12 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për 2 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas, me detyrë inspektorë të IMT-së, për shpërdorim të detyrës.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 13 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Gjithashtu, janë plotësuar 18 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i krimeve kibernetike dhe po punohet për identifikimindhe kapjen e autorit/autorëve.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për posedim të armëve të ftohta/sportive.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar para për të shmangur masat administrative, si dhe 4 shtetase të huaja, të dyshuara për prostitucion.

Janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mosdeklarim të shumave monetare.

Interpol Tirana/Në vijim të bashkëpunimit me homologët, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u arrestuan:

-në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasi K. G., 35 vjeç, lindur në Shkodër, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

-në Greqi, shtetasi A. Gj., 39 vjeç, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar me 1 vit e gjysmë burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”.

U ekstradua nga Kosova, shtetasi kosovar H. M., banues në Gjakovë, Kosovë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 23.05.2023, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 8 muaj e 12 ditë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Dje, kanë kallëzuar familjarët e shtetases V. Y., 77 vjeçe, për largimin e saj nga banesa dhe humbjen e kontakteve me të. Punohet për gjetjen e saj.

Bulqizë/Klos – Informacione paraprake

-Në vijim të kërkimeve të nisura mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se disa fëmijë dhe një i afërm i tyre kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, bëjmë me dije se 4 prej tyre u shpëtuan nga shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës, ndërsa sot, rreth orës 09:45, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 7-vjeçares, e cila dyshohet se është mbytur në lumë.

-Më datë 27.08.2026, rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Ura e Vashës”, në Rrugën e Arbrit, shtetasi D. L., rreth 34 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve.

Shkodër/Informacion paraprak

Sot, në fshatin Shosh, në një zonë pyjore, dyshohet se shtetasi T. Z., teksa po priste/mblidhte dru, është goditur aksidentalisht nga një pemë dhe, si pasojë është dëmtuar rëndë.

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 09:00, në lagjen nr. 3, është konstatuar në rrugë, një celular i lidhur me një objekt të dyshimtë.

Pas marrjes së njoftimit dhe mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë marrë masat e nevojshme për sigurimin e perimetrit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Specialistët xhenierë të RENEA-s kanë kryer veprimet e nevojshme dhe kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse, në sasi të vogël, që ishte lidhur me aparatin celular, duke eliminuar çdo rrezik të mundshëm.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Libohovë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, në Libohovë, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga tarraca e një banese njëkatëshe, një shtetas i mitur, 5 vjeç, i cili u transportua për në Spitalin e Traumës, Tiranë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, Salla Operative e DVP Fier ka marrë njoftim se pranë grykëderdhjes së lumit Seman, është konstatuar një kufomë e dekompozuar.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e kufomës, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.