Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 2 operacione për krime kundër personit dhe kultivim të bimëve narkotike. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 4 shtetas, si dhe u asgjësuan bimë narkotike kanabis.
Parandalohen 2 ngjarje të rënda kriminale, në Mat dhe Kavajë. Arrestohen 4 shtetas, 1 shpallet në kërkim dhe 1 procedohet në gjendje të lirë, si dhe sekuestrohen 2 armë zjarri automatik, 5 krehra dhe municion luftarak.
Janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
U arrestua 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, iu gjet dhe sekuestrua një armë e ftohtë.
U arrestua 1 shtetas për veprën penale “Braktisja e fëmijës së mitur”, ndërsa 1 shtetas tjetër u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, administrator i një firme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi është dëmtuar në punë një punonjëse e kësaj firme, e cila, pas mjekimit në spital, u largua për në banesë.
U arrestua 1 shtetas, pasi ka kanosur me mjet prerës dhe ka dëmtuar automjetin e një shtetasi dhe më pas ka kanosur familjarët e tij, me qëllim tërheqjen e kallëzimit.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë në kërkim.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, ku po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
U proceduan në gjendje të lirë 4 shtetas për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, si dhe 16 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 5 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë arrestuar 1 shtetas me qëllim ekstradimi, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, pasi Gjykata e 2-të Penale e Paqes e Edirnesë, Turqi, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
