Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kurbin – Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij dhe mbante armë zjarri pa leje në banesë, ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon  përshkallëzimin e ngjarjes. Vihet në pranga autori. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. J., banues në fshatin Shullaz, Kurbin. Ky shtetas ka  ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, në banesë. Policia, me marrjen e njoftimit, ka ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ka vënë në pranga autorin. Gjatë kontrollit të ushtuar në banesën e shtetasit Xh. J., Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik me 3 krehra dhe municion luftarak (1080 fishekë). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit Xh. J., për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Dyshnik, Berat /Informacion Paraprak – Në datën 07.05.2020, ora 07:30, në fshatin Dyshnik, Berat, shtetasi K. H., 75 vjeç, ka hyrë brenda në pus për ta pastruar atë dhe më pas janë afruar dy nipërit për ta ndihmuar, shtetasit N. H., 46 vjeç dhe G. G., 45 vjeç, të cilët kanë mbetur brenda në pus. Shërbimet e Policisë, zjarrfikëset dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Zjarrfikësit i kanë nxjerrë nga pusi trupat e pajetë të këtyre tre shtetasve dhe i kanë dërguar në morgun e spitalit të Beratit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së tre shtetasve.

Krujë/Informacion paraprak – Më datë 07.05.2020, rreth orës 02:25, në fshatin Kameras, Fushë Krujë, gjatë një tentative  për vjedhur bagëti të imëta në një stallë në pronësi të shtetasit A. B, 44 vjeç, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi A. B., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve,  jashtë rrezikut për jetën. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa persona të dyshuar ai autorë të ngjarjes. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të saj.

Tiranë – Finalizohet operacioni “Combination”, për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Vihen në pranga dy posedues që shpërndanin lëndë narkotike. Procedohen penalisht edhe 2 shtetas që blinin lëndën narkotike. Sekuestrohen doza me cannabis sativa, 404.000 lekë të reja dhe 4 telefona celular. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për  dy persona që merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike në disa zona të Tiranës, organizuan punën për identifikimin dhe lokalizimin e këtyre shtetasve. Pas identifikimit dhe lokalizimit të këtyre shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i kanë mbajtur nën vëzhgim për të bërë të mundur kapjen e tyre në flagrancë. Pas vëzhgimit të kryer, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Combination”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve H. H., 29 vjeç dhe A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. Xh., 21 vjeç dhe  D. V., 23 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i shtetasve H. H dhe A. A. u bë pasi, në bashkëpunim më njëri-tjetrin, merreshim me shpërndarjen e lëndës narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesa u gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë narkotike, një shumë prej 404.000 lekësh të reja dhe 4 telefona celular të markave të ndryshme. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. H. dhe A. A., si dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve D. V. dhe A. Xh.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 1 është ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar bë flagrancë, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Berat dhe 1 në Vlorë.

Janë proceduar 8 shtetesh, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Fier, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.