Shkodër
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë Drejtues i Lartë Sokol Bizhga prezanton drejtorin e ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues i Parë Edmond Sulaj.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim dhënien e impulseve të reja, në drejtim të zbulimit dhe të dokumentimin të krimeve të rënda, Drejtues i Parë Ervin Hodaj, deri tani Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, transferohet dhe emërohet Drejtor për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Drejtues i Parë Edmond Sulaj transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Mëngjesin e sotëm, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga ka bërë prezantimin në DVP Shkodër, të drejtorit të ri, Edmond Sulaj .
Drejtor Bizhga ka vlerësuar punën shumë të mirë të bërë nga drejtor Hodaj, duke vlerësuar integritetin profesional dhe moral të tij, si dhe ka theksuar se kjo punë duhet të çohet më tej, nga drejtori i ri z. Sulaj, i cili gjithashtu është një drejtues karriere, që ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional, gjatë kryerjes së detyrave të mëparshme në Policinë e Shtetit.