Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 5 operacione, konkretisht:

-2 në Shkodër, nga të cilat një për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, me 2 autorë të ndaluar, dhe një për zbardhjen e disa vjedhjeve, me 1 shtetas të arrestuar;

-1 në Vlorë, për arrestimin e një shtetasi që qëlloi me armë zjarri pistoletë në ajër. U sekuestruan pistoleta dhe krehri i saj me fishekë;

-1 në Tiranë, për goditjen e një skeme mashtrimi, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër në hetim;

-1 operacion, gjatë të cilit u kap në Durrës, nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi kosovar L. M., i dënuar në Kosovë me 1 vit e 3 muaj burgim, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”.

Janë kapur 4 shtetas të tjerë që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 22 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 9 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe kokainë, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 13 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorëve.

U arrestua një 29-vjeçar, pasi dyshohet se i ka vjedhur me dhunë 2 shtetasve, një shumë parash dhe një pajisje.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi ka gjeneruar muzikë në një lokal në Durrës, përtej normës së lejuar.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Gjithashtu, janë plotësuar 14 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve që janë larguar nga vendi i aksidentit.

U arrestua një 18-vjeçar, pasi, duke drejtuar motomjetin pa leje, në Tiranë, dyshohet se ka aksidentuar një të mitur, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Janë arrestuar 3 shtetas, pasi kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

U proceduan në gjendje të lirë 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 2 shtetas, për falsifikim dokumentesh/kontrabandë mallrash.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Vorë/Informacion paraprak

Rreth orës 03:15, në derën e banesës së shtetasit F. Sh. ka shpërthyer një sasi e vogël lënde të dyshuar plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të lehta materiale.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Fier/Informacion paraprak

Në aksin rrugor “Kurjan-Roskovec”, automjeti me drejtues shtetasin S. H., 62 vjeç, është përplasur me një mjet pune (pirun ngritës), me drejtues shtetasin J. F., 34 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, është dëmtuar shtetasi S. H., i cili është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të aksidentit.