Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar 3 operacione, në kuadër të të cilave u vunë në pranga 22 shtetas dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 5 kilogramë lëndë narkotike Cannabis, doza me kokainë dhe cannabis, 4 automjete, një shumë parash në euro dhe lekë, 3 makineta, 2 printera së bashku me 1 njësi për llotari, 2 motomjete dhe 19 aparate celularë.

Janë kapur/ndaluar 5 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 11 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

U shpall në kërkim një 36-vjeçar, pasi në lagjen “30 Vjetori”, Berat, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) një 38-vjeçar, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas për kundërshtim dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë dhe 4 shtetas të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Në Gjirokastër, u procedua 1 shtetas për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pronari i një firme, pasi gjatë montimit të disa mobiljeve është dëmtuar punëtori i tij, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në Kukës u procedua penalisht shtetasja D. M., 41 vjeçe, banuese në fshatin Zapod, Kukës, pasi, duke ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, zjarri i doli jashtë kontrollit dhe përfshiu një sipërfaqe të madhe me bimësi e shkurre.

Janë evidentuar 3 raste në fushën e vjedhjes, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 11 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Në Tiranë, u arrestua 1 shtetas dhe u procedua penalisht 1 i mitur, pasi automjeti që drejtonte shtetasi i arrestuar është përplasur me një skuter elektrik, që drejtohej pa leje nga shtetasi i mitur. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar shtetasi i mitur dhe pasagjeri i tij, i cili ky i fundit ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në Shkodër u procedua penalisht 1 shtetas për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi, duke qenë në drejtim të mjetit kamion, i ngarkuar me inerte dhe në karrocerinë e tij nuk kishte mbulesë, në Shkodër, “Sheshi Balshaj”, është ndaluar nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe, në momentin që u ka dhënë dokumentet e mjetit, brenda tyre kishte vendosur një kartëmonedhë 5.000 lekë të reja.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për falsifikim të stampave dhe vulave.

Tiranë/ Më datë 05.09.2026, në spital ka ndërruar jetë një shtetase filipineze, 49 vjeçe, e cila më datë 04.09.2026 kishte mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” Rinas, ku nuk është ndjerë mirë. Pasi ka marrë ndihmën e parë nga stafi mjekësor pranë Aeroportit, është transportuar me autoambulancë në QSUT, për ndihmë më të specializuar. Punohet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Shkodër/ Më datë 05.09.2026, shtetasi P. R., 40 vjeç, ka bërë kallëzim se, që më datë 31.08.2026, i është larguar nga banesa vëllai i tij, shtetasi F. R., 30 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.

Vlorë/ Dje, rreth orës 17:55, në Plazhin e Zvërnecit, një 30-vjeçar është hedhur nga një varkë tip “Pedalon” për t’u larë në det dhe ka rënë në ujë të cekët. Si pasojë, 30-vjeçari ka pësuar dëmtime në kokë dhe u transportua në Spitalin e Traumës Tiranë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sarandë/ Pas mesnate, në vendin e quajtur “Parkimi i Syrit të Kaltër”, ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit janë djegur tri kioska tregtare, të ndërtuara me dru, si dhe pajisjet e tyre. Nga veprimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike në linjat e furnizimit me energji elektrike.

Tiranë/ Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 po kryen veprimet hetimore në ngarkim të shtetasit F. K., 30 vjeç, pasi dyshohet se paraditen e sotme, në Kamëz, gjatë lëvizjes në drejtim të Institutit, ka qëlluar në ajër me një pistoletë të dyshuar manovër, gjatë një ceremonie martesore. Në vijim të veprimeve të kryera, pistoleta e dyshuar manovër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.