Shkodër – Siguria rrugore pranë shkollave, prioritet për Policinë Rrugore

Bashkëpunim Polici-shkollë, për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë dhe për sensibilizimin e përdoruesve të rrugës, për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Nën moton “Kontribuo dhe ti për sigurinë rrugore” dhe në vijim të takimeve që Policia Rrugore po zhvillon me nxënësit e shkollave, paraditen e sotme, në qytetin e Shkodrës, në gjimnazin “Shejnaze Juka” me klasat e XI-ta dhe XII-ta u zhvillua një orë mësimore.

Shefi i Sigurisë Rrugore Valmir Nikolli, së bashku me disa punonjës të Policisë Rrugore, dhe ndihmës/specialistin për Policimin në Komunitet përreth 45 minuta, prezantoi para nxënësve temën që ka të bëjë me sigurinë në rrugë.

Rritja e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë për nxënësit dhe sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor ishin dy nga temat për të cilat nxënësit shprehën interes.

Nxënësit u interesuan me pyetje të shumta edhe për masat e marra nga Policia për parandalimin e shpejtësisë, për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, kaskave mbrojtëse etj.

Në fund të takimit u ra dakort për të bërë një aktivitet sensibilizues në rrugë, mes nxënësve dhe Policisë rrugore, kryesisht për biçiklistët, pasi shumë prej tyre janë përfshirë në aksidente rrugore. U theksua nevoja që këta të fundit të ndriçojnë biçikletat me sinjale fosforeshente për t’u dalluar natën në rrugë gjatë qarkullimit dhe për pajisjen e tyre me sinjal zanor, nisur dhe nga fakti që Shkodra e ka masive përdorimin e biçikletave.

Siguriarrugoredetyrëetëgjithëve!