Në zbatim të masave për rritjen e sigurisë në shkolla,me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt, për zhvillimin e një procesi mësimor sa më të qetë dhe për parandalimin e konflikteve shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, bazuar në informacionet e grumbulluara për nxënës që mund të mbajnë armë të ftohta me vete, kanë ushtruar kontroll në një prej shkollave të mesme të qytetit të Sarandës.
Gjatë kontrollit të përbashkët të ushtruar në këtë shkollë, është gjetur një armë e ftohtë (thikë), të cilën një nxënës 17 vjeç e mbante në çantën e librave.
Nxënësi është shoqëruar në ambientet e Policisë, së bashku me psikologun, drejtorin e shkollës dhe prindërit e tij. Nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për procedimin e tij, në gjendje të lirë.
Policia edhe një herë shpreh gadishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet arsimore, Qeverinë e Nxënësve, Bordin e Prindërve, Oficerët e Sigurisë dhe psikologët, me qëllim që në ambientet e shkollës të ketë siguri për jetën e nxënësve dhe për të zhvilluar një proces mësimor sa më të qetë.