Sarandë – Finalizohet operacioni policor i koduar “KONISPOLI”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit

Operacioni i zhvilluar nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë.

Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke ndihmuar 4 emigrantë të paligjshëm, për të kaluar kufirin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas egjiptian do të ndihmonte disa shtetas sirianë, që të kalonin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “KONISPOLI”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi egjiptiane.

Shtetasi A. B. është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Shkallë”, Konispol, duke ecur në këmbë me 4 shtetas sirianë, të cilët më pas do t’i transportonte në kufi, kundrejt shpërblimit monetar, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.