Korçë/Vijojnë goditjet ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni i koduar “Ngarkesa”.
Transportonin 5.7 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, kapen në flagrancë në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec” dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, 2 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 1 jave, për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Korçë, finalizuan operacionin e koduar “Ngarkesa”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. T., 27 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. H., 25 vjeç, banues në Shëngjin.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec”, duke qarkulluar një automjet me karroceri që drejtohej nga shtetasi J. P. Në karroceri ishte ngarkuar nje automjet tip “Volkswagen”, në bagazhin e të cilit, në vendin e gomës rezervë, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë 5. 7 kg.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. T. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
