REZULTATET KRYESORE TË STRUKTURAVE POLICORE NË VEND DHE NGJARJET E NDODHURA GJATË 24 ORËVE TË FUNDIT.

Gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar kontrollet, goditjet ndaj paligjshmërisë dhe monitorimin intensiv në të gjithë territorin e vendit, me fokus parandalimin e krimit, rritjen e parametrave të sigurisë dhe garantimin e rendit publik.

Policia e Tiranës, menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e datës 08.05.2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie, procedoi penalisht 7 shtetas. Nga këta: 6 për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Gjatë veprimeve, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

Si rezultat i angazhimit të strukturave policore në të gjithë vendin, janë arrestuar/proceduar penalisht 65 shtetas.

Janë kapur 2 shtetas në kërkim kombëtar, janë shpallur në kërkim 9 shtetas, si dhe është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar një shtetas i dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Tiranës për armëmbajtje pa leje.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar dhe asgjësuar një numër i konsiderueshëm fidanësh e bimësh narkotike dhe është sekuestruar një sasi e vogël kanabisi.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe dy raste vetëvrasjeje (një vetëvrasje me armë zjarri dhe një vetëvarje), si dhe një rast i tentativës për vetëvrasje.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 2 autorë, një i arrestuar dhe një i proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si edhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimit të lotarive të palejuara”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 11 të dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur/pa leje drejtimi dhe janë proceduar 5 shtetas që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 2 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit apelon për respektim të ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor. Drejtuesit e mjeteve të shmangin shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet kyç për parandalimin e paligjshmërisë dhe forcimin e sigurisë publike. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e profesional.