Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim, njëri prej tyre, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Në fushën e narkotikëve; është finalizuar një operacion kundër shitjes në doza, të drogave të forta, në Himarë, si dhe janë goditur 10 raste të tjera në të gjithë territorin, me 7 shtetas të arrestuar dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar rreth 155 doza të lëndës narkotike Kokainë, dhjetëra doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa, 1 armë sportive (pistoletë), 1 peshore elektronike dhe 2 celularë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, me 22 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, 2 shtetas u arrestuan pasi kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të kryer vepra të tjera penale, konkretisht:
-në Tiranë, një shetas me masë sigurie për vjedhje, u kap me sasi Cannabisi;
-në Përmet, një shtetas me masë sigurie për armëmbajtje pa leje, u kap duke dëmtuar me send të fortë, automjetin e një shtetasi.

Më tej, 2 shtetas u arrestuan në flagrancë dhe 2 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, për 3 raste të mosbindjes ndaj uRdhrit të punonjësve të Policisë ose kundërshtimit me forcë të tyre. Njëra prej tyre (e arrestuar në Tiranë, për kundërshtim të punonjësve të Policisë), gjithashtu kishte bërë njoftim të rremë në organet e rendit.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Më tej, 7 shtetas janë proceduar penalisht, për shkatërrim të pronës me zjarr. Për një rast në këtë fushë, po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë evidentuar 6 raste vjedhjeje, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të shpallur në kërkim. Për 2 nga këto raste, po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kompjuterike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për rastin tjetër po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Është arrestuar 1 shtetas për kryerje të veprimeve në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, si dhe janë proceduar penalisht 14 shtetas për vepra penale të ndryshme, ndër to 1 shtetas, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Janë proceduar penalisht 8 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u kryen veprimet për arrestimin e shtetasit V. Z., 59 vjeç, banues në Delvinë, pasi më datë 11.08.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Bajkaj, Delvinë, me autobusin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. V., 64 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën, në spital.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë referuar materialet në prokurori, për 2 raste të krimeve ekonomike dhe 1 rast të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, secili me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Ndërkaq, specialistët e Interpol Tiranës, si rezultat i bashkëpunimit me homologët, finalizuan procedurën për ekstradimin nga Shqipëria, në Kosovë, të shtetasit kosovar, Anton Allakaj, 50 vjeç, i cili ishte në kërkim, pasi Gjykata e Pejës, në vitin 2021, e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Vrasja”. Nga ky dënim, 50-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur, 9 vjet e 8 muaj burgim.

Lezhë/Rreth orës 15:30 të datës 11.08.2026, dyshohet se si pasojë e një defekti teknik, ka marrë flakë gjatë lëvizjes në aksin rrugor “Dibër-Rrëshen”, automjeti me drejtues shtetasin K. Sh.. Si pasojë është djegur plotësisht automjeti, si dhe një sipërfaqe pyjore në anë të aksit, ku u përhapën flakët. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për ngjarje aksidentale.

Maliq/Rreth orës 16:30 të datës 11.08.2026, dyshohet se në efektin e alkoolit, shtetasi M. Ç. ka tentuar të vetëvritet në ambientet e një lokali, duke konsumuar lëndë kimike (zhivë termometri). Shtetasi është në kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Berat/Rreth orës 20:30 të datës 11.08.2026, ka humbur jetën në spital, shtetasi I. T., 38 vjeç, i cili dyshohet se ka konsumuar në banesën e tij, pesticide. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.